Ish-ylli i klubit ofron 100 milionë euro për të blerë Sampdoria-n – A2

Ish-ylli i klubit ofron 100 milionë euro për të blerë Sampdoria-n

Gianluca Vialli duket se do të jetë Presidenti i ri Sampdoria-s, pasi kryeson një konsorcium i cili ka ofruar 100 milionë euro për të blerë klubin italian. Sky Sport Italia pretendon se marrëveshja me Presidentin aktual Massimo Ferrero është shumë pranë.

Ky i fundit ka vendosur ta shesë klubin, por asnjëherë nuk ka pranuar të ulet në bisedime nëse oferta ishte më pak se 100 milionë euro. Gjatë pesë viteve në drejtimin e tij, Sampdoria ka kaluar një periudhë me trazira. Ai u hetua për përvetësim të paligjshëm në korrik 2017 dhe iu sekuestruan 1,2 milionë euro në asete nga Policia në nëntor 2018, pasi paratë nga shitja e lojtarit Pedro Obiang te Ëest Ham u zhdukën.

Vialli ka qenë pjesë e Sampdoria-s në epokën e artë. U transferua aty në vitin 1994 dhe menjëherë krijoi një dyshe fantastike me trajnerin e sotëm të Italisë Roberto Mancini. Ai realizoi 19 gola në sezonin 1990-91 kur Sampdoria shpallej kampion, ndërsa shënoi gjithashtu në finalen e fituar të Kupës së Kupave në vitin 1990. Në kabinetin e trofeve të Vialli-t me Samp janë edhe tre Kupa të Italisë, në vitet 1985, 1988 dhe 1989. Gjithashtu, klubi arriti edhe në finalen e Champions League në vitin 1992, duke u mundur 1-0 nga Barcelona në “Wembley”.

Në total, me Sampdoria-n, Vialli ka realizuar 141 gola në 8 vite. Në vitin 1992, ai u transferua te Juventus për thuajse 14 milionë euro, duke thyer rekordin e atëhershëm botëror për lojtarin më të shtrenjtë.

Shkarkoni aplikacionin e A2