Kush vendos për Shkodrën? Voltana Ademi tregon gjithçka për A2 – A2

Kush vendos për Shkodrën? Voltana Ademi tregon gjithçka për A2

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, në një lidhje direkte me studion e “Ditari” në A2, foli mbi deklaratën e kreut të PD-së, Lulzim Basha, i cili u shpreh se Shkodra është lënë në dorën e Tom Doshit dhe të një trafikanti droge që siguron vota për Ramën në Velipojë.

Kur u pyet se kush vendos për Shkodrën, Ademi u përgjigj: “Qyteti ka problematikat e tij, e para që lidhet me mungesën e vëmendjes prej 6 vitesh. Ka kaluar telashe jo të vogla, por e rëndësishme është që pavarësisht presioneve të politikës, e mbështetur nga grupe që janë dhe kanë qenë në qytet, qëndrimi ynë korrekt është koracë mbrojtëse për të vijuar punën në mënyrë korrekte. Politika pa diskutim që do të bëjë pjesën e vet, por besoj se do të ketë zhvillime sepse nuk vazhdohet kështu”.

Në lidhje me bllokimin prej disa orësh të fondeve për Shkodrën, Ademi theksoi se “Thesari pati me ne një komunikim të parregullt dhe të nxituar”.

“Mora përsipër që t’i drejtohesha Ministrisë së Financave sepse po ndalonte puna në qytet. Ishte një e-mail i pazakontë që mori përsipër të shqyrtonte mandatin e kreut të bashkisë. Gjithsesi, Ministria e Financave u tërhoq dhe dje ka vijuar puna normalisht”, deklaroi Ademi.

Në fund, Ademi përsëriti se “Shkodra ka nevojë për zgjedhje sa më parë, pasi u është mohuar e drejta e zgjedhjes”.

Shkarkoni aplikacionin e A2