Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Shpërndahet Kuvendi, Kosova drejt zgjedhjeve të parakohshme

Nga A2 CNN
22 Gusht 2019, 12:20 | Kosova
Shpërndahet Kuvendi, Kosova drejt zgjedhjeve të parakohshme

Me 89 vota pro, 1 kundër dhe 2 abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan për shpërndarjen e Parlamentit, duke i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme.

Sipas Kushtetutës, zgjedhjet duhet të mbahen jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së Parlamentit. Vendimi pason dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj më 19 korrik, kur mori ftesë nga  Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë, për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se vendimi do t’i dërgohet tani Presidentit Hashim Thaçi për dekretim: “Kuvendi vendos për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Vendimi i dërgohet Presidentit të Kosovës për dekretim në pajtim me nenin 82, paragrafi 1, pika 2 të Kushtetutës së Kosovës. Urime gjithë qytetarëve të Kosovës”.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili mori fjalën menjëherë pas Veselit, tha se me shpërndarjen e Kuvendit po largohet edhe qeveria e Kosovës, e cila, sipas tij, njihet për rezultate minimale. 

“Qeveria e PAN-it (koalicioni PDK, AAK dhe Nisma) do të mbetet në histori si qeveria më e madhe në botë më 454 të emëruar politik, kryeministri me 35 këshilltarë, me 5 zëvendëskryeministra e me 80 zëvendësministra”, tha Hoti.

Që nga dorëheqja e Haradinajt, partitë politike u shprehën në favor të zgjedhjeve duke përjashtuar mundësitë e tjera, ndonëse sipas Kushtetutës, Presidenti mund dhe i kërkoi koalicionit fitues të zgjedhjeve të kaluara që të emërojë një mandatar të ri për qeverinë.

Ende pa u shpallur zgjedhjet, partitë janë përfshirë në një fushatë për ngritjen e koalicioneve të reja.

A2 CNN Livestream

Dita jonë