PD: Kajmaku falsifikoi formularin e dekriminalizimit

Sekretari për Çeshtjet Ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata, deklaroi se Agim Kajmaku, kryebashkiak i Vorës, “është dënuar, dëbuar dhe arrestuar në Greqi për vepra të rënda penale”.

Gjata i kërkoi kryeministrit Edi Rama që të reagojë dhe të japë sqarime, ndërsa theksoi se Kajmaku duhet të japë menjëherë dorëheqjen.

“Valdrin Pjetri, kandidati trafikant i Edi Ramës dhe Tom Doshit në Shkodër, nuk është një rast i izoluar. Një pjesë e mirë e kandidatëve të Edi Ramës në bashki të ndryshme të vendit kanë probleme me drejtësinë, për shkak të së shkuarës kriminale ose për lidhjet e tyre aktuale me krimin. Çfarë i lidh bashkë të gjithë këta individë që e morën me pushtetin me dhunë, është Edi Rama, i cili mbron dhe promovon këdo që i shërben pushtetit të tij kriminal. Njësoj si për Valdrin Pjetrin, Edi Rama e di se edhe Agim Kajmaku i Vorës ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit dhe duhet të japë menjëherë dorëheqjen e të përballet me drejtësinë”, u shpreh Gjata.

“Edi Rama e di se i përzgjedhuri i tij dhe i Belinda Ballukut për Vorën ka probleme të hapura me drejtësinë greke dhe se ai e ka fshehur të vërtetën. Ky është një fakt që Edi Rama e di shumë mirë, madje ai e ka bekuar fshehjen e precedentit penal të Agim Kajmakut. Por, Edi Rama po përpiqet të blejë kohë për kriminelin tjetër që i është zbuluar në bashki, këtë herë, duke fallsfikuar dokumentat shtetërorë, siç është formulari i dekriminalizimit. Pyetja drejtuar Edi Ramës, Belinda Ballukut, Agim Kajmakut dhe Arta Markut është e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë: A është dënuar, dëbuar, arrestuar dhe shpallur në kërkim ndonjëherë në Greqi për vepra penale të rënda dhe a e ka fshehur këtë fakt në vetedeklarimin e dekriminalizimit? Agim Kajmaku iu shmang kësaj pyetje në tekst-përbetimin e ardhur të gatshëm nga zyra e Edi Ramës me sugjerimin e bashkëpunëtores së tij, Belinda Balluku”, shtoi Gjata.

Shkarkoni aplikacionin e A2