Kapet veliera me 1 ton drogë në Greqi, reagon Policia e Shtetit: Mjeti nuk vjen nga Shqipëria

Policia e Shtetit ka përgënjeshtruar lajmin e dalë nga disa media greke për faktin se varka me vela që është kapur dje me rreth 1 ton kanabis në Peloponezin jugor të ketë ardhur nga Shqipëria.

Sipas Policisë, forcat e rendit e të dy vendeve kanë shkëmbyer informacion mes tyre me qëllim verifikimin  e personelit të varkës, që kanë rezultuar ukrainas. Sipas Policisë shqiptare, veliera “My Dream” nuk rezulton të ketë hyrje-dalje në Shqipëri.

Një keqkuptim sipas tyre mund të ketë ndodhur sepse më 15 gusht një jaht me emër të përafërt  “Dream” ka kryer proceduara të rregullta hyrje-dalje dhe mjeti është kontrolluar konform rregullave nga Policia Kufitare. Jahti kishte në bord 3 shtetas turq dhe “nuk ka asnjë lidhje me velierën e sekuestruar në Greqi”.

Veliera “My Dream” u sekuestrua në afërsi të qytetit Gytheion, mbante flamurin e shtetit amerikan të Delaware, dhe u zbulua gjatë një kontrolli rutinë të forcave të rendit greke, që sekuestroi rreth 50 çanta të mbushura me bimën narkotike.

Shkarkoni aplikacionin e A2