Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë. Zyrtarizohet koalicioni mes AKR dhe Nismës

Partitë politike në Kosovë nuk po humbin kohë për ngjizjen e aleancave të reja, pas shpërndarjes së Parlamentit.  

Nisma Social-Demokrate dhe Aleanca Kosova e Re zyrtarizuan të premten koalicionin parazgjedhor. Në një konferencë të përbashkët, kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli dhe lideri i Nismës, Fatmir Limaj thanë se Limaj do të jetë kandidati i tyre për kryeministër. 

“AKR dhe Nisma mbrëmë kanë vendosur që të formojnë një koalicion, që do ta quaja Qendra e Artë, boshti i mesëm, ose po e quaj pjesa e tretë politike e cila do të jetë kyçe, do të jetë e rëndësishme në formimin e qeverisë së ardhshme. AKR dhe Nisma do të garojnë me një listë të përbashkët, lista do të ketë kandidatin e vet për kryeministër, besoj që ARK dhe Nisma do të bëjnë një punë dinjitoze. Kemi punuar në mënyrë të ndershme e transparente dhe mandatin, edhe pse nuk e kemi çuar në fund, e kemi kryer pa asnjë skandal, jam krenar për punën e bërë”, tha Pacolli. 

Gjatë ditëve të fundit u përvijua mundësia e një koalicioni të gjerë mes AKR-së, Nismës dhe atij të ngjizur ditë më parë: AAK-së së Ramush Haradinajt dhe Partisë Social-Demokrate të nënshkruar nga Shpend Ahmeti. Por, Limaj tha se dy partitë do të shkojnë të vetme në zgjedhje, edhe pse nuk i mbylli dyert për forca të tjera politike.

Fatmir Limaj tha: “Është një lajm i mirë për vendin, që tregon që me këtë vendim që kemi marrë për të ndërtuar një bosht politik, ku presim të bashkohen edhe forca të tjera politike, tregon urtësinë, seriozitetin, racionalitetin për zgjedhjet që na presin. Besoj që koalicioni ynë i ka dyert e hapura edhe për të tjerët që duan të na bashkohen. Ne si grupe politike po ruajmë balancet politike në vend, po ndihmojmë një alternativë ndryshe. Ne nuk do të biem viktimë e një vote elektorati, Kosova ka tema që duhet të merret seriozisht me to. Ky koalicion do të jetë përcaktues i qeverisë së ardhshme të Kosovës”.

Më 22 gusht, deputetët votuan për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Pas shpërndarjes së Kuvendit, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi njoftoi se shumë shpejt do të caktojë datën e zgjedhjeve. 

Shkarkoni aplikacionin e A2