Fitore e lehtë dhe e diel rekordesh për lojtarët e Manchester City-t

Sergio Aguero la pas sherrin me trajnerin Pep Guardiola fundjavën e kaluar dhe shënoi dy gola për Manchester City-n në fitoren 3-1 në fushën e Bournemouth. Argjentinasi u duk i acaruar me trajnerin spanjoll pasi u zëvendësua në ndeshjen kundër Tottenham. Por këtë të diel arriti në kuotën e 400 golave në karrierë (me klube dhe kombëtaren), 235 prej të cilëve i ka shënua pikërisht me fanellën e City-t.

Golin tjetër për miqtë e shënoi Sterling në fund të pjesës së parë, ndërsa Wilson provoi të rihapte takimin për vendasit, por goli i tij në kohën shtesë të pjesës së parë ishte shumë pak.

Ditë rekordesh ishte edhe për dy lojtarë të tjerë të skuadrës së Pep Guardiola-s. Kevin De Bruyne, i cili dha pasimin për golin e parë të Aguero-s, arriti në kuotën e 50 të tillëve, duke u bërë lojtari i parë në historinë e Premier League që realizon këtë shifër në më pak ndeshje (123). Pas tij vijnë Mesut Ozil, i cili ka realizuar 50 pasime për gol pas 141 takimesh dhe Eric Cantona me 50 pasime për gol në 143 ndeshje.

Ndërsa kapiteni David Silva luajti ndeshjen numër 400 me klubin, duke u bërë lojtari i 14 që arrin në këto shifra me Manchester City-n. Gjithsesi, pas tre ndeshjeve të para, City mbetet në vend të dytë pas Liverpool, pasi skuadra e Jurgen Klopp ka marrë maksimumin e pikëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2