Izraeli, sulme ajrore në Siri: Parandaluam sulmin e dronëve iranianë – A2

Izraeli, sulme ajrore në Siri: Parandaluam sulmin e dronëve iranianë

Izraeli goditi zona ushtarake të Iranit në Siri, për të parandaluar atë që ushtria e Tel Avivit e quajti një sulm nga dronët vrastarë të Iranit.

Ushtria izraelite rrallë i pranon operacionet në Siri, por të dielën njoftoi se kishin shënjestruar forcat iraniane në juglindje të kryeqytetit Damask. Zëdhënësi i ushtrisë tha: “Mesnatën e së shtunës forcat izraelite të mbrojtjes parandaluan një përpjekje të forcave iraniane Quds dhe milicive shiite për të sulmuar Izraelin përmes dronëve vrastarë. Ne konsiderojmë regjimet iraniane dhe siriane si përgjegjës për sulmin e mbetur në tentative”. 

Një burim i ushtrisë siriane, i cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve Sana, tha se sistemi antiajror kishte evidentuar raketa armike nga Lartësitë e Golanit në drejtim të Damaskut. Sipas burimit, ushtria ishte kundërpërgjigjur duke shkatërruar shumicën e raketave para se të mbërrinin objektivin e tyre. Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, kryeministri Benjamin Netanjahu vlerësoi operacionin dhe tha se Irani nuk ka imunitet askund. 

“Irani nuk ka imunitet askund. Forcat tona operojnë në çdo sektor kundër agresionit iranian. Nëse dikush ngrihet për të të vrarë, vrite ti i pari”, shkroi Netanyahu.

Izraeli besohet të ketë kryer qindra sulme ajrore në Siri që prej shpërthimit të luftës civile në vitin 2011, në përpjekjen për të penguar Iranin të zgjerojë terren.  

Shkarkoni aplikacionin e A2