Akuzat e PD, Kajmaku: Jam punëtor e familjar, emrin e kam ndryshuar që të qëndroja në emigracion

Kreu i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku ka reaguar edhe një herë pas akuzave të bëra sot nga Partia Demokratike, e cila publikoi dokumente që sipas saj tregojnë se ai akuzohet në Greqi për falsifikim kartëmonedhash.

Kajmaku pranoi se ka ndryshuar emrin në emigracion, por këtë e ka bërë që të kishte mundësi të punonte në shtetin fqinj.

“Unë siguroj me bindje, në radhë të parë qytetarët e Vorës se i qëndroj pikë për pikë asaj që kam deklaruar edhe më herët lidhur për këtë sulm. Unë nuk jam marrë kurrë me trafiqe dhe krime. Kam qenë dhe jam punëtor e familjar. Kam punuar për të nxjerrë bukën e gojës në Shqipëri e në emigracion dhe emrin e kam ndryshuar si të gjithë shqiptarët, që të më jepej mundësia të rrija atje dhe punoja”, shkruan Kajmaku në një postim në Facebook.

“Partia Demokratike po merret me limona dhe me mandarina emigrantësh shqiptarë, të cilët halli i ka shtyrë të punojnë në një vend të huaj! Ata bëjnë sikur nuk e dinë se çfarë kanë hequr shqiptarët për të mbijetuar me emra e me mbiemra nga më të ndryshmit në Greqi. Në fakt PD është limoni i shtrydhur që s’i duhet më asnjërit. Le ta thonë autoritetet fjalën e tyre dhe të na falin qytetarët për këtë shqetësim! Unë dua të siguroj qytetarët e Vorës se pavarësisht kësaj poshtërsie, jam dhe do të jem në çdo moment në krye të detyrës! Ju më besuat në 30 qershor për t’i ndryshuar faqen Vorës sonë dhe për ta vënë bashkinë në shërbim të qytetarëve”.

Shkarkoni aplikacionin e A2