PD: Kajmaku i arrestuar në Janinë për falsifikim kartëmonedhash

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se Agim Kajmaku, kandidati socialist për Bashkinë e Vorës, ka një llogari të hapur me drejtësinë greke, prandaj duhet të japë menjëherë dorëheqjen.

“Rasti i tij është rasti i dytë brenda një muaji që PD po denoncon me fakte dhe dokumente se kandidatët e Edi Ramës për kryetarë bashkie, kanë kryer krime dhe i kanë fshehur ato. Edi Rama vërtetoi se vetëm bashkëpunimi me krimin është mekanizmi i vetëm që i siguron atij pushtet. Ai po provon dita-ditës se nuk heq dorë nga bashkëqeverisja me krimin”, tha Bardhi në një konferencë për mediat.

Bardhi bëri publike ato që i quajti prova autentike për fajësinë e Kajmakut. Ai tregtoi një vendimi i Prokurorisë dhe Gjykatës së Janinës, 19 qershor 2003, sipas të cilit rezulton se “Agim Kajmaku, alias Jorgo Toto, është arrestuar në Janinë më 14 janar 2003 për veprën penale përdorim dhe shpërndarje të kartëmonedhave të falsifikuara”, akuzë që parashikon të paktën 10 vite burgim.

Sipas Bardhit që prej ardhjes në pushtet, Rama ka promovuar 300 persona me precedentë kriminalë. “Kandidatët që i ofrojnë shqiptarëve më 30 qershor janë të padenjë për një shoqëri që kërkon të ndërtojë vlera të standardeve europiane”, shtoi Bardhi.

Shkarkoni aplikacionin e A2