Shtëpitë e modës sugjerojnë ngjyra edhe këtë sezon

Vera nuk ka ikur ende, jo vetëm për temperarurat, por edhe për ngjyrat. Shtëpitë më të mëdha të modës sugjerojnë ngjyra edhe në sezonin vjeshtë/dimër 2019.

Do të jetë një vjeshtë e artë jo vetëm për pasarelat, që po bëhen gati për të prezantuar koleksionet e reja, por edhe për dyqanet, që tashmë ndjekin sugjerimet e stilistëve, duke ofruar kombinime nga më të bukurat, deri tek më të guximshmet.

Ngjyrat mbretërojnë edhe këtë sezon, me lejlanë, mustardën, portokallinë dhe jeshilen që veshin çdo femër me fisnikëri, pushtet dhe shëndet. Tom Ford i sjell këto ngjyra në çdo version dhe kudo, jo vetëm në veshje, por edhe në këpucë apo çanta. Mjafton një T-shirt apo fustan në këtë ngjyrë dhe dimri do të duket larg.

Vjeshta nuk mund të quhet e tillë pa një veshje me lule, në përditshmëri apo mbrëmje. Ashtu siç treguan në pasarelat e tyre, Prada, Erdem dhe Marc Jacobs sjellin një sezon shumëngjyrësh, me fustane me lule shumëngjyrëshe, dominuar nga palat dhe fryrjet. Ende në modë këtë vit janë printimet, në këpucë me takë apo atlete, kryesisht tek veshjet dimërore, ku palltot vijnë sërish me printime leopardi apo vijëzimet. Ky dimër nuk do të quhet në modë nëse veshja juaj nuk ka fryrjet në pjesën e supeve. Givenchy dhe Alexander McQueen i propozojnë ato në fustane, xhaketa e pallto.

Ato që do të pushtojnë këtë sezon do të jenë çantat, jo më të vogla, por superçanta siç quhen nga stilistët. Sportmax, Lacoste, Michael Kors dhe Rejina Pyo sugjerojnë çanta të mëdha, nga ato që mban mbi sup apo edhe sportive.

Shkarkoni aplikacionin e A2