Zjarret në Amazonë, liderët e G7 pranë një marrëveshjeje

Mund të mos bien dakord për çështje si Irani, apo tregtia, por liderët e vendeve më të industrializuara janë pranë arritjes së një marrëveshjeje për të ndihmuar në luftën kundër zjarreve në Amazonë.

Këtë e tha Presidenti francez dhe organizatori i Samitit të G7-s Emanuel Macron. “Ekipet tona po kontaktojnë me të gjitha vendet e Amazonës, në mënyrë që të finalizojmë angazhimet tona konkrete për resurse teknike dhe financiare”, tha Macron. Kryeministri britanik Boris Johnson tha se Mbretëria e Bashkuar do të ofrojë 10 milionë paund për mbrojtjen e pyjeve të Amazonës.

Zhvillimet vijnë mes tensioneve ndërkombëtare për numrin rekord të zjarreve që po digjen në Brazil. Kritikët akuzojnë Presidentin e këtij vendi Jair Bolsonaro, se po mbështet shkatërrimin e Amazonës përmes retorikës anti-ambientaliste dhe mungesës së aksionit ndaj shpyllëzimit. Të premten, përballë presioneve në rritje nga jashtë kufijve, Presidenti Bolsonaro autorizoi ushtrinë të mobilizohej për shuarjen e flakëve. Ministria e mbrojtjes njoftoi se 44 mijë trupa janë në gatishmëri për të ndihmuar. Bolsonaro tha të dielën se kishte pranuar ofertën për ndihmë nga Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu. Më herët ai qe treguar kritik ndaj reagimit të qeverive të huaja, duke i akuzuar për ndërhyrje në sovranitetin e Brazilit. Zjarret ekzistojnë në të gjithë botën e nuk mund të shërbejnë si pretekst për sanksione të mundshme ndërkombëtare, tha Bolsonaro në një fjalim televiziv.

Shkarkoni aplikacionin e A2