Basha: Në shtator, protestat edhe më të mëdha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se ka dhjetëra individë me rekorde kriminale të futur në garë nga Edi Rama, në një proces antikushtetues si ai i 30 qershor. Sa i përket çështjes së Agim Kajmakut, Basha dënoi heshtjen e Kryeministrit Rama, 24 orë pas publikimit të dokumenteve nga ana e PD duke pretenduar se kreu i Bashkisë Vorë ka probleme me drejtësinë greke.

“Dua gjithashtu të dënon heshtjen e Prokurorisë, që hesht për këtë çështje. Rekordet zyrtare që provojnë se Jorgo Kajmaku është person me llogari të hapura me drejtësinë greke janë publikuar. Heshtja e Edi Ramës dhe Prokurorisë tregojnë se Kajmaku u kandidua me bekimin e Edi Ramës”, u shpreh Basha. “Këta njerëz janë aty sepse mbrohen nga Edi Rama. Zgjidhja e kësaj krize kalon përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, një qeveri tranzitore pa Edi Ramën dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në të njëjtën ditë me zgjedhjet kushtetuese lokale”.

Gjatë paradites të së martës, Basha u takua me nënkryetaren e grupit parlamentar për Europën CDU/CSU në Gjermani, Katja Leikert, por edhe me ambasadorin austriak Johann Sattler. “Vazhdojmë komunikimin intensiv me partnerët tanë. Opozita dhe PD janë të vendosura në qëllimin që i kanë vënë vetes që prej ditës së parë, për interes të qytetarëve dhe jo zgjidhje artificiale për karriget tona”, tha Basha. “Zgjidhja është krijimi i mekanizmave që asnjë qeveri e ardhshme të mos bjerë në të njëjtin batak”.

Opozita do të vazhdojë protestat në shtator me nisjen e sesionit të ri parlamentar, u shpreh Basha. “Përveç protestave që do të jenë edhe më të mëdha, edhe më të fuqishme, në një situatë edhe më të papranueshme. Paralelisht me këto do të fokusohemi më shumë për zgjidhjet që do t’u ofrojmë shqiptarëve”.

A do jenë gjermanët ndërmjetës për zgjidhjen e krizës? “Vlerësojmë rolin e tyre, vëmendjen e tyre dhe rolin e interesin dhe ndihmën që Gjermania po japin për të mundësuar që Shqipëria të mos mbetet prapa, peng i krimit dhe korrupsionit, por të ecë drejt integrimit në BE. Pa diskutim që vendi do të shkojë drejt BE duke u sjellë si një shoqëri europiane, si politikë europiane. Pengesa kryesore për këtë sot është kapja e politikës dhe institucioneve nga një grup i strukturuar kriminal me në krye Edi Ramën”.

Në lidhje me 13 tetori, Basha shtoi se ajo është data kushtetuese për zgjedhjet vendore, e dekretuar nga Presidenti. “Është një tregues i paligjshmërisë në të cilin është zhytur KQZ, që kishte për detyrë të organizonte zgjedhjet më 13 tetor. Ata kanë shkelur Kushtetutën dhe ligjin”.

Shkarkoni aplikacionin e A2