Hetimet për Kajmakun, Prokuroria kërkon bashkëpunim me PD

Prokuroria e Përgjithshme i kërkon bashkëpunim Partisë Demokratike për verifikimin e nisur nga sektori i dekriminalizimit ndaj Kryebashkiakun të Vorës Agim Kajmaku. Mesditën e së hënës prokuroria e përgjithshme iu drejtua zyrtarisht numrit 2 të Partisë Demokratike Gazmend Bardhi, t’i vë në dispozicion dokumentet autentikë të bëra publike, që bëjnë Kajmakun pjesë të hetimit me ligjin e dekriminalizimit.

Atë që nuk e bëri në rastin e Vladrin Pjetrit, PD pranoi ta bëjë me Agim Kajmakun. Subjekti partiak i kthyer në kallëzuesin e dy kryetarëve bashkiakë të Partisë Socialiste, ka pranuar t’i japë provat e pakontestueshme kryeprokurores Arta Marku. Vetëm pak minuta pas kërkesës së prokurorisë, PD i ka vënë në dispozicion akuzës të gjithë dokumentet që disponon për të faktuar gjendjen penale të Agim Kajmakut, të mandatuar si Kryebashkiak i Vorës në zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Gazment Bardhi pranoi se i ka vënë këto dokumente autentikë në duart e prokurorëve edhe pse detyrë e këtij institucioni është t’i kërkojë në shtetin helen.

Njësia e Dekriminalizimit, një ditë më parë nisi verifikimet ndaj Kajmakut, i cili ka 4 ditë kohë në dispozicion për të depozituar gjurmët e tij daktiloskopike. Partia Demokratike publikoi ditën e djeshme “dokumentin autentik” të Gjykatës së Janinës, ku rezulton se Kajmaku është arrestuar në flagrancë duke u arratisur nga territori grek në vitin 2004 për veprën penale “për përdorim dhe shpërndarje kartëmonedhash të falsifikuara”. Sipas saj, Prokuroria greke kishte kërkuar si pretencë dënimin me 10 vjet burgim të Kajmakut. Referuar dokumentacionit zyrtar të autoriteteve greke, rezulton sipas PD-së,  se Kajmaku është praktikisht edhe sot nën procedim penal nga autoritetet greke, me një masë “arresti në burg” në fuqi. Kajmaku ka reaguar duke pretenduar se nuk është dënuar dhe as është dëbuar ndonjëherë nga shteti grek dhe sipas tij, këto akuza kanë sfond politik.

Shkarkoni aplikacionin e A2