Koordinimi i Veriut, Rama mbledh drejtuesit: Kujdes me dekriminalizimin

Kryeministri Edi Rama i mbylli pushimet dhe nisi punën duke thirrur në mbledhje grupin koordinues për Veriun, ku përfshihen drejtuesit politik, deputetë të zonës dhe kryetarët e bashkive të qarqeve Lezhë, Kukës, Dibër e Shkodër. 

I shqetësuar për rastin e Valdrin Pjetrit, që u dorëhoq pas akuzave të PD-së se është dënuar në Itali, Edi Rama i ka lënë porosi drejtuesve të Veriut që të bëjnë kujdes që emrat e kandidatëve për çdo post të mos preken nga dekriminalizimi. Me dorëheqjen e Pjetrit, Shkodra nuk kishte në këtë takim as kryetarin e bashkisë, as drejtuesin politik, por zëvendësimi i tij nuk është prekur në mbledhjen prej dy orësh të drejtuar nga Rama.

Shkodra, Lezha dhe Kukësi janë bashki që janë drejtuar më herët nga opozita dhe pikërisht ky fakt ka qenë në fokus të takimit. Shefi i qeverisë ka përsëritur kërkesën që të mos ketë largime të punonjësve të kualifikuar nga bashkitë, por nuk do të shpëtojnë ata që kanë abuzuar.

Burime të A2 thanë gjithashtu se pas një serie denoncimesh në portalin Shqipëriaqëduam.al, do të ketë shkarkime të drejtuesve të institucioneve në Shkodër. Ai ka urdhëruar që të procedohet shpejt me përzgjedhjen e nënkryetarëve të bashkive, një prej të cilëve, me kërkesë të Ramës, duhet të jetë patjetër grua.

Në mbledhjen me drejtuesit socialistë të Veriut nuk mungoi sërish deputeti i PS-së, Tom Doshi, pavarësisht polemikave ndër radhët e socialistëve për rolin e tij në emërimet e drejtuesve në veri të vendit. 

Me këtë takim, socialistët nisin një axhendë intensive pune për partinë e tyre, që do të vijojë me zgjedhjet e brendshme për të përfunduar me Kongresin e partisë pas kapërcimit të viteve. Takimi i radhës në kalendarin e PS-së është pasditja e kësaj të mërkure, kur në orën 18:00 Rama do të mbledhë Kryesinë socialiste. 

Shkarkoni aplikacionin e A2