Zjarret në Amazonë, Brazili refuzon paratë e ofruara nga G7

Qeveria braziliane do të refuzojë ofertën për ndihmë nga vendet e G7-tës, për luftën kundër zjarreve në pyjet e Amazonës. Presidenti francez Emanuel Macron, i cili organizoi takimin tre ditor që u mbyll të hënën, tha se 22 milion dollarë do të lëvroheshin menjëherë.

Zyrtarët brazilianë nuk e arsyetuan vendimin për të refuzuar paratë, por presidenti Jair Bolsonaro ka akuzuar Francën  se e trajton Brazilin si koloni.

Duke komentuar ofertën e G7-tës, shefi i kabinetit të Bolsonaro,  Onyx Lorenzoni u shpreh: “Ju falënderoj, por ndoshta paratë janë më të rëndësishme për të ripyllëzuar Europën. Macron nuk arrin dot të parandalojë një zjarr të parashikueshëm në një kishë që është pjesë e trashëgimisë botërore dhe kërkon të na japë neve leksione?”

Një numër rekord zjarresh vazhdojnë të digjen në Brazil, kryesisht në Amazonë, sipas agjencisë për kërkimet hapësinore në vend. Më herët Bolsonaro ishte shprehur se qeveria nuk i kishte resurset për të luftuar flakët, ndërsa kritikën e akuzuan se retorika e tij anti-ambientaliste kishte ndikuar në përkeqësimin e shpyllëzimit.

Organizata Greenpeace në Francë tha se reagimi i G7 ndaj krizës kishte qenë i papërshtatshëm, duke konsideruar përmasat e katastrofës. Aktori Leonardo di Caprio premtoi se do të dhuronte 5 milionë dollarë për Amazonën, ndërkohë që 7 vendet më të industrializuara të botës, ofruan 20 milionë.

Bolsonaro dhe Macron po përplasen prej javësh për çështjen e amazonës. Sherri në distancë u zhvendos edhe në plan personal, kur kreu i Elizësë tha se gratë braziliane duhet të ndiheshin të turpëruara nga presidenti Bolsonaro, i cili u tall në rrjetet sociale me bashkëshorten e Macron, Brigitte.

Shkarkoni aplikacionin e A2