Balla: Për Shkodrën kemi kërkuar falje, nuk bëhemi mburojë për askënd

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se do të kërkohet ashpërsimi i ligjit të dekriminalizimit për personat e kandiduar apo emëruar në poste publike që fshehin të kaluarën e tyre. Megjithatë, ai tha se rasti i Valdrin Pjetrit në Shkodër, apo i Agim Kajmakut në Vorë, janë përgjegjësi tërësisht personale e personave në fjalë dhe jo e Partisë Socialiste. Edhe pse nuk dha emrin e drejtuesit të ri politik të Shkodrës, Balla tha se PS do t’i kushtojë vëmendje të veçantë procesit të riformatimit të partisë atje, për të ndërtuar një model konkurrues.

Ai nuk pranoi të komentonte fjalën e Ditmir Bushatit, por tha se PS ka kërkuar falje për rastin e Valdrin Pjetrit. “Që nga dita e parë që është vërtetuar, nisur nga ajo që është referuar në media, mospërputhshmëria e kandidaturës së zotit Pjetri me pritshmëritë e popullit të Shkodrës, ne kemi kërkuar falje, por kujtoj këtu që përgjegjësia është personale”, tha Balla.

I pyetur nëse do të ndodhë kështu edhe me kreun e Bashkisë Vorë, Agim Kajmaku, Balla tha: “Në çdo rast, PS ka vënë një standard, kurrë nuk jemi bërë mburojë për askënd. Në rast se forca të tjera politike merrnin gavetat dhe shkonin ushqenin Xhelal Mziun në derë të burgut, PS nuk do ta bëjë kurrë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2