Edlira Gjoni: Partia Demokratike ka gjetur një mënyrë të thjeshtë për rrëzimin e Ramës

Analistja Edlira Gjoni, e ftuar në studion e “Ditari” në A2, është shprehur se “më në fund Partia Demokratike ka gjetur një mënyrë të thjeshtë fare për t’i hequr “mollët e prishuara” Partisë Socialiste” dhe, sipas saj, kjo çon edhe në rrëzimin e kryeministrit Edi Rama.

“Mënyra se si bëhet politika në Shqipëri ka bërë që figurat e pastra të tërhiqen nga jeta publike, pasi janë njerëzit që nuk kanë frikë nga e kaluara e tyre që i kanë zënë vendin. Ai që e mbulon krimin me gënjeshtër do të dalë përpara atij që është inteligjent. Më në fund, më duket sikur PD-ja ka gjetur një mënyrë të thjeshtë fare, por të bukur, që t’i heqë PS-së “mollët e prishura”. Nëse vijon të kapë këto elementë një e nga një, ja ku u rrëzua Rama. Nuk ka nevojë për protesta, nuk ka nevojë për molotov”, tha Gjoni.

“Nëse PS-ja do të kishte moral politik, duhet të kërkonte ndjesë që kanë vënë kandidat në Shkodër një njeri me të kaluar kriminale. Shqetësim kanë se si janë marrë dhe kush i ka marrë provat, jo faktet”, shtoi analistja.

Në lidhje me situatën e opozitës sot, Gjoni tha se “nuk ka më unitet si në kohën e protestave mes PD dhe LSI” sepse, sipas saj, “edhe denoncimet për kryebashkiakët po vijnë vetëm nga PD-ja”.

Përsa i përket datës 13 Tetor, ku Presidenti pretendon se do të mbahen zgjedhjet, Gjoni tha: “Në 13 Tetor nuk do të ketë zgjedhje sepse zgjedhjet janë njohur për fat të keq nga faktori ndërkombëtar. Ne duhet të jemi realistë dhe e vetmja parti që flet për këtë datë është LSI-ja”.

Shkarkoni aplikacionin e A2