Trump sulmon mediat: G7 një sukses, raportuan ‘‘fake news’’

Presidenti Donald Trump shprehu zemërim ndaj mediave kryesore amerikane për mënyrën se si e mbuluan pjesëmarrjen e tij në samitin e G-7s në Francë.

Një pjesë e mirë e mbulimit mediatik të presidentit amerikan në samitin e Francës, sipas Zërit të Amerikës, nuk e paraqiti Presidentin Trump në dritë pozitive, duke e vënë theksin tek keqkuptimet, gafat apo te mungesa e bashkëpunimit me udhëheqësit e tjerë botërorë për çështje të tilla kritike si mjedisi. New York Times u ndal tek ndasitë e mëdha mes Trump dhe liderëve të tjerë të G7-tës, ndërsa Washington Post shkruajti se presidenti amerikan bëri shumë deklarata false e të pasakta.

Reagimi i shefit të Shtëpisë së Bardhë erdhi si gjithmonë në rrjetin social Twitter.

“G-7 ishte një sukses i madh për SHBA dhe për të gjithë. Mbulimi nga ana e Medias së Çalë nuk kishte asnjë lidhje me atë që ndodhi në të vërtetë në Francë. Fake news, ishte e mrekullueshme!”, shkruajti presidenti amerikan.

Ish nënpresidenti Joe Biden, një prej rivalëve kryesorë demokratë të Trumpit në garën presidenciale të vitit 2020-të, kritikoi ashpër performancën e presidentit në samitin e G7-tës.

“Pas tre ditës kemi më shumë prova se si politika e jashtme e presidentit amerikan Donald Trump, e ka lëne të izoluar vendin. Në vend që ta shohin Amerikën për vizionin, aleatët tanë më të afërt u përpoqën të menaxhojnë dhe zbusin dëmet e Trump”, deklaroi Biden.  

Presidenti Trump po përballet gjithashtu me kritika për thirrjen që Rusia të pranohet në samitin e udhëheqësve pa parakushte. “Asnjë anëtar tjetër i grupit nuk ka propozuar që Rusia të kthehet në G-7, siç propozoi ai. Me këtë, zoti Trump theksoi statusin e tij të izoluar”, shkruante Michael D’Antonio, autor i librit “E vërteta për Trump”, në një opinion të botuar në faqen e internetit të rrjetit CNN, një entitet tjetër mediatik që Presidenti Trump e ka etiketuar shpesh si nismëtar “lajmesh të rreme”.

Presidenti Trump u tha gazetarëve të hënën në Biarritz se samiti i G-7s i vitit të ardhshëm, me mikpritës Shtetet e Bashkuara, mund të mbahet në vendpushimin e tij privat në Doral të Floridës.

Shkarkoni aplikacionin e A2