Verifikimi i kandidatëve, analistët: Zgjatja e afateve nuk zgjidh problemin

Analistët Afrim Krasniqi dhe Aleksandër Çipa nuk e cilësojnë të mjaftueshëm propozimin e kryeministrit Edi Rama për të zgjatur afatet e verifikimit të kandidatëve për poste publike, para se të bien në rrjetën e dekriminalizimit. 

“Akti i kryeministrit nuk zgjidh asgjë sepse ne sot kemi në fuqi ligjin e dekriminalizimit që në nenin nr.7 i njeh të drejtën partive që të gjitha kandidaturat e tyre për deputetë t’i dërgojnë paraprakisht në prokurori. Kjo është e drejtë ligjore dhe nuk k apse bëhet një ligj i ri për të njohur këtë të drejtë ligjore”, shprehet Krasniqi.

Ndërsa Çipa thotë: “Nisma e kryeministrit duket sikur është një propozim spontan i ardhur për shkak të kontekstit të krijuar pas sulmit politik që opozita po i bën disa të zgjedhurve në procesin e 30 Qershorit”.

Lepuri fle diku tjetër, bien dakord analistët. Është mënyra se si rekrutohen drejtuesit dhe kandidatët.

“Është e pamjaftueshme sepse lidhet me mënyrën se si procedojnë partitë për rekrutimin e njerëzve që hyjnë në nivelet e larta të përfaqësimit politik”, thekson Çipa.

“Është mënyra se si zgjidhen kandidatët. Të gjithë ata që janë bërë lajm në lidhje me krimin janë përzgjedhur nga liderët, janë telefonuar nga vetë ata. Nuk janë zgjedhur nga baza e partisë”, shpjegon Krasniqi.

Por, çfarë duhet të bëjë kryeministri që të mbajë larg partisë të inkriminuarit? Përgjigjja e Krasniqit është kjo: “Të heqë dorë përfundimisht nga individët e fortë dhe të pasur për t’i katapultuar në poste politike”.

Shkarkoni aplikacionin e A2