
Zgjedhjet e parakohshme më 13 Tetor, Meta: Politikanët tanë të mësojnë nga Kosova
Ditën e sotme, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti në një takim zëvendëskryetaren e Grupit Parlamentar të CDU/CSU, deputeten gjermane Katja Leikert.
Kreu i Shtetit shprehu mirënjohje për angazhimin e Bundestagut dhe veçanërisht të grupit parlamentar CDU/CSU për parandalimin e thellimit të krizës politike në Shqipëri. Presidenti edhe një herë ka përsëritur se të vetmen zgjidhje për këtë situatë sheh mbajtjen e zgjedhjeve në 13 tetor.
“Nëse politikanët vendas e kanë të pamundur të mësojnë nga vendet me përvojë të konsoliduar demokratike se si zgjidhen krizat, kanë rastin të mësojnë nga një shtet i ri si Kosova se si u jepet mundësia qytetarëve të thonë fjalën e tyre përmes zgjedhjeve të parakohshme për të ardhmen e institucioneve qeverisëse”, ka deklaruar Presidenti Meta.