Debate në kryesinë e PS, shkarkohen drejtorët rajonalë

Kryesia e Partisë Socialiste e mbledhur pasditen e të mërkurës nuk arriti të prodhojë një emër për pasuesin e Valdrin Pjetrit në drejtim politik të këtij qarku. Megjithatë do të ketë shumë “prerje kokash” në strukturat drejtuese të partisë, por edhe ato lokale.

“Në vlerësimin tonë, në rezultatet politike tonat në disa palë zgjedhje nuk kanë qenë ato të dëshiruarat për Partinë më të madhe të të gjithë shqiptarëve”, tha sekretari i përgjithshëm i PS, Taulant Balla.

“Të gjithë drejtuesve të drejtorive të Bashkisë Shkodër iu komunikua që duhet të japin dorëheqjen në mënyrë që të kemi një ristartim të këtij procesi në këtë bashki. Vendet vakante do të plotësohen nga persona që do të jenë brenda këtyre institucioneve, por sigurisht që do të ngremë një komision qytetar që do të përthithë, do të vlerësojë, figurat me më integritet profesional. Prioritet do të kenë gratë për të qenë drejtuese të këtyre institucioneve”, tha Brisela Kadia, kryetare e Këshillit Bashkiak të Shkodrës.

Megjithatë, mbledhja nuk kaloi pa probleme. Ishte ish-drejtuesi politik i qarkut të Shkodrës, zëri kritik i kësaj mbledhjeje. “Ato gabime që kemi bërë në të shkuarën ku njerëz që kishin të kaluar të dyshimtë i përjashtuan nga radhët tona, u përshëndetën publikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fatkeqësisht u rikthyen në tryezat tona vendimmarrëse dhe sot na duhet për fat të keq të vuajmë pasojat e këtyre gabimeve”, tha Ditmir Bushati.

Shkarkimet masive apo edhe ashpërsimet në ligjin e dekriminalizimit që Partia Socialiste po artikulon shpesh javën e fundit, sipas paraardhësit të Valdirin Pjetrit nuk mjaftojnë. Për Ditmir Bushatin, Partia Socialiste ka nevojë për një riformatim të brendshëm dhe madje të kërkojë falje për kandidime të tilla.

“Me rasti e fundit në Shkodër kemi pikën e derdhjes. 30 vjet pas rënies së komunizmit, ka shumë mundësi që PS dhe të gjitha partitë, t’i ofrojnë njerëzve përfaqësues më të mirë. Kjo nuk trajtohet me zhvendosje vëmendjeje me shkarkime në masë që nuk kanë asnjë lidhje me çështjen”, tha Bushati.

Por ndërsa përgjegjësia për Valdrin Pjetrin mbetet personale, a konsiderohet e tillë dhe për Agim Kajmakun e Vorës? Përgjigjia vjen nga sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste. “Që nga dita e parë që është vërtetuar, nisur nga ajo që është referuar në media, mospërputhshmëria e kandidaturës së zotit Pjetri me pritshmëritë e popullit të Shkodrës, ne kemi kërkuar falje, por kujtoj këtu që përgjegjësia është personale”, tha Balla. “Në çdo rast, PS ka vënë një standard, kurrë nuk jemi bërë mburojë për askënd. Në rast se forca të tjera politike merrnin gavetat dhe shkonin ushqenin Xhelal Mziun në derë të burgut, PS nuk do ta bëjë kurrë”.

Në mbledhjen e kryesisë ishte dhe Vangjush Dako, një tjetër ish-Kryebashkiak i akuzuar nga PD për lidhje me botën e krimit.

Shkarkoni aplikacionin e A2