Dorëheqja e drejtorëve në Shkodër, reagon PD

Përmes një deklarate për mediat, dega e Shkodrës e Partisë Demokratike ka reaguar pas dorëheqjeve të drejtorëve të disa drejtorive rajonale në qytetin verior, pasi kjo iu kërkua nga Kryeministri Edi Rama një ditë më parë.

“Edi Rama po vendos PS Shkodër, në administrimin e Tom Doshit, personit i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por fillimisht, po i spastron “fushën” duke i lënë në dorë të gjitha drejtoritë rajonale në Shkodër. Me një urdhër të paprecedent në historinë edhe të vendeve më të prapambetura të Afrikës, Edi Rama ka nisur instalimin e partisë – shtet duke filluar nga Shkodra, ekzaktësisht siç bënë komunistët në 1945”, thuhet në deklaratë.

Sipas PD, urdhri për dorëheqje në bllok të të gjithë drejtorëve rajonalë në Qarkun e Shkodrës, është totalisht antiligjor dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës, Statusit të Nëpunësit Civil dhe Kodit të Punës. “Me një urdhër të tillë, Rama po zëvendëson njërën bandë me një bandë tjetër. Pasi të lirohen postet e drejtorëve, do të jetë “mëkëmbësi” i Edi Ramës në Shkodër, Tom Doshi, që do të emërojë drejtorët e rinj rajonal, në koordinim të plotë me kreun e bandës së Rilindjes, kryeministrin e fatkeqësisë kombëtare. Revanshi i radhës i kryeministrit uzurpator, tregon se ai shtetin e konsideron “parcelë private”, pronë të tij dhe të sektit të rrezikshëm kriminal të Rilindjes. Bindja e verbër ndaj urdhrave antiligjorë, për ndëshkime kolektive përmes dorëheqjeve të detyruara me urdhër partie, është mungesë dinjiteti, pranim i tutelës partiake në vend të zbatimit të ligjit, nënshtrim ndaj një individi psikopatik”, thuhet më tej në deklaratën e PD.

Shkarkoni aplikacionin e A2