Fakulteti i Drejtësisë i thotë lamtumirë “Bolonjës”

Fakulteti i Drejtësisë shkëputet nga procesi i Bolonjës për Reformën në Drejtësi. Pas 12 vjetësh, studimet në degën e drejtësisë nuk do të jenë të ndara në dy cikle, por në një program të vetëm 5-vjeçar.

Dekani Artan Hoxha tregon se në përfundim të studimeve, të rinjtë janë gati për tregun e punës, apo për kualifikime të tjera për t’u bërë gjyqtarë ose prokurorë. “Pas pesë vitesh, studentët përfundojnë studimet në Fakultetin e Drejtësisë. Ne do të ecim paralel nga të dy programet, por studentët e vitit të parë kanë avantazhin që fillojnë me një program të ri dhe në përfundim të tij e kanë fushën e punësimit më të gjerë”, thotë Hoxha.

Shkëputja nga sistemi i Bolonjës për këtë degë është detyrim i ligjit të arsimit të lartë dhe reformës në drejtësi. Modeli i ri i kurrikulave është marrë nga vendet fqinje dhe në programe është integruar edhe masteri. “Ky program i nxjerr studentët me një program tërësor Master, një program i miratuar në muajin korrik nga Ministria e Arsimit”, shton Hoxha.

Studimet e larta 5-vjeçare nisin këtë vit akademik vetëm për 640 studentët e rinj të Fakultetit të Drejtësisë. Ndërsa në universitetet e tjera publike dhe private, kurrikulat e reja pritet të zbatohen vitin e ardhshëm.

Në vitin 2003, Shqipëria u bë anëtare e kartës së Bolonjës, së bashku me shumë shtete të tjera të Europës. Me ndryshimin e ligjit, 4 vjet më vonë, universitetet shqiptare nisën të zbatonin programet e ndara në tre cikle studimi, “Bachelor”, “Master” dhe “Doktoraturë”. Pas Mjekësisë, edhe Drejtësia i thotë lamtumirë sistemit të Bolonjës.

Shkarkoni aplikacionin e A2