PD publikon fotot: Kajmaku dhe Toto, i arrestuari në Greqi, janë i njëjti person

Partia Demokratike publikoi një tjetër dokument, marrë sipas saj nga sistemi TIMS në Shqipëri, që vërteton se Kryetari i Bashkisë Vorë, Agim Kajmaku, është i njëjti person i arrestuar në Greqi me emrin Jorgo Toto.

“Krahasimi i dy fotove që janë të të njëjtit person,  vërteton se personi i kërkuar nën emrin Jorgo Toto, në fakt është Agim Kajmaku. Provat janë të pakontestueshme dhe Agim Kajmaku apo Jorgo Toto duhet të largohet dhe të merret i pandehur për veprën e tij penale të kryer në shtetin grek dhe për veprën penale të mashtrimit me deklarimet e formularit të dekriminalizimit. Por ai nuk largohet sepse e mbron Edi Rama”, tha ish-deputeti demokrat Gent Straizimiri në një deklaratë për mediat.

“Partia Demokratike, bazuar në prova të pakontestueshme, ka provuar se Jorgo Toto ose ndryshe Agim Kajmaku i Edi Ramës, është arrestuar në Greqi duke bërë biznes me para të falsifikuara dhe se me emrin e ndryshuar nëpërmjet falsifikimit, është person në kërkim në shtetin fqinj. Edi Rama e mbron sepse siç provuam dhe një ditë më parë, me Kajmakun dhe kajmakët e tjerë ai ndan paratë publike të grabitura shqiptarëve me tenderë me miliona euro. Prandaj Edi Rama, si njeriu që ka zgjedhur të qeverisë me krimin duhet larguar një orë e më parë. Pushteti i krimit duhet zhdukur nga rrënjët dhe zgjedhje e lira, përgatitur nga një qeveri pa Edi Ramën është e vetmja rrugë për ti dhënë shqiptarëve drejtimin që meritojnë”, shtoi Strazimiri.

Shkarkoni aplikacionin e A2