Turistët e huaj, Franca gati për rekord të ri – A2

Turistët e huaj, Franca gati për rekord të ri

Pavarësisht protestave të “jelek-verdhëve”, të nisura prej nëntorit të vitit të shkuar, Franca vendos një rekord të ri botëror për numrin e turistëve për gjysmën e parë të këtij viti.

17,3 milionë turistë të huaj vizituan vetëm Parisin nga janari në qershor, të cilët kanë shpenzuar 9,8 miliardë euro, sipas të dhënave zyrtare, ndërsa shifrat pritet të vendosin rekord të ri botëror në gjysmën e dytë të vitit.

Sipas autoriteteve franceze, shifrat do të ishin edhe më pozitive, por në këtë periudhë të vitit drejt Parisit udhëtuan 300 mijë qytetarë britanikë më pak se vitet e shkuara, për shkak të Brexit-it.

Sipas Ministrisë franceze të Turizmit, ndryshe nga Venecia apo Barcelona, Parisi nuk ka probleme të mbipopullimit me turistë. Monumentet ikonë të Parisit, si Muzeu i Luvrit apo Kulla Eiffel kanë marrë të gjitha masat për të menaxhuar edhe fluksin e turistëve, duke mirëpritur 25-50 mijë turistë të huaj në ditë.

Franca mbetet vendi më i vizituar në të gjithë botën. Në vitin 2018, atë e vizituan 89,4 milionë turistë të huaj. 

Shkarkoni aplikacionin e A2