Drejtori i Burgjeve – prokurorëve: Mos i lironi të burgosurit para kohe

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, kërkon një marrëveshje të re me prokuroritë e rretheve, me qëllim shmangien e rasteve të lirimit të të burgosurve pa përfunduar ende afatet e dënimit. Shqetësimin e tij, kreu i burgjeve ia ka bërë prezent në datën 13 gusht, të gjithë prokurorive në rrethe.

Shkresa zyrtare i është dërguar për dijeni edhe Prokurores së Përgjithshme Arta Marku dhe ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj. Në dokumentin 3-faqësh që A2 disponon, kreu i burgjeve shpreh shqetësimet që janë konstatuar sipas tij, në ekzekutimet e vendimeve penale në IEVP-t për shkak të gabimeve që kryen nga ana e prokurorëve.

Një ndër më kryesoret, si një çështje ligjore ende e pazgjidhur, është ajo që lidhet me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore  me objekt “njohjen e ditëve të punës në masën e dënimit” ku prokurorët e rretheve marrin vendime në kundërshti me ligjin nr.8328 duke njohur ditët e punës dhe u zbritet nga dënimi që ata kryejnë. Në këtë rast drejtori burgjeve sjell në vëmendje rastin e lirimit para kohe të Lulzim Cakës dhe disa të dënuarve të tjerë.

“Sikurse jemi vënë në dijeni para pak kohe edhe media publikoi lajmin se nga një IEVP u lirua nga burgu pa përfunduar plotësisht ekzekutimin e vendimit penal i dënuari Lulzim Caka. Ky rast nuk është i vetmi”

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili

Në këtë letër citohet ligji nr.8328, dt. 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim” dekreti i Presidiumit të Kuvendit Popullor nr 7298 dt 8.4.1989, i cili përcakton “zbritjen e dënimit të personave të dënuar me heqje të lirisë që aktivizohen në punë”, ligj ky i cili u shfuqizua me urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme në vitin 2004 me zbatim të menjëhershëm. Ismaili thotë se është Prokuroria ajo që në shumë raste bënë gabime në përllogaritjet e ditëve. Në shumë raste, kur çështja apelohet dhe gjykimi nuk është i përfunduar nuk mund të llogaritet dënimi. Në këtë rast janë dhe ata të dënuar që janë të ekstraduar, por nuk u është saktësuar ose bërë njohja e saktë e kohës së dënimit.

Shkarkoni aplikacionin e A2