Kapet 20 kg kanabis në portin e Vlorës, arratiset drejtuesi i mjetit me targa gjermane

Një sasi lënde narkotike Cannabis Sattiva është sekuestruar pasditen e të premtes në portin e Vlorës, në një automjet që pritej të imbarkohej në tragetin e linjës Vlorë-Brindizi. Sasia e lëndës sipas informacioneve nga policia konfirmohet se ishte rreth 20 kg, ndërsa ishte fshehur në ndenjësen e pasme të një automjeti tip Mercedes Benz me targa gjermane.

Makina me targa BM LA 9999, i është nënshtruar një kontrolli të zakonshëm rutinë, si edhe kryhet në mjetet të cilat imbarkohen në tragetet e linjës me Italinë, përpara nisjes së tragetit. Gjatë kontrollit mësohet se policia ka vërejtur diçka të dyshimtë, ndërsa pas kontrollit të imtësishëm ka rezultuar sasia e lëndës narkotike e fshehur në ndenjësen e pasme të pasagjerit. Mësohet se në automjet udhëtonte drejtuesi i automjetit dhe dy gra. Në momentin që po kryhej kontrolli, drejtuesi i mjetit ka arritur të largohet nga zona, duke i shpëtuar Policisë. Gjithsesi ai është identifikuar dhe është shpallur në kërkim.

Sipas burimeve nga blutë e Vlorës mësohet se shtetasi ishte nga Fieri, por ende nuk janë dhënë detaje të tjera referuar identitetit apo moshës së tij. Makina e tij është mbajtur për më shumë se një orë në garazhet e portit të Vlorës.

Nuk dihet ende destinacioni që mund të kishte kënda narkotike, nëse do të dërgohej në Itali apo në ndonjë shtet tjetër europian, sikurse nuk dihet edhe rruga që do të vazhdonte të kryente mjeti pas mbërritjes në Brindizi.

Shkarkoni aplikacionin e A2