Plagoset 36-vjeçari, i dënuar më parë për vrasje

Një 36-vjeçar dyshohet se është plagosur me armë zjarri pasditen e kësaj të premteje në Vlorë, në lagjen “10 korriku”. Sipas Policisë, Eljus Thartori, ish-mësues i edukimit fizik, ka qenë në ballkonin e shtëpisë së tij kur mbi të është qëlluar me armë. Ai është dërguar në spitalin e qytetit ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Thartori është person me precedent penal, pasi më parë ka qenë i dënuar me 10 vite burg për akuzën e vrasjes me paramendim dhe armëmbajtje pa leje. Pak vite më parë ishte bërë protagonist edhe i një emisioni investigativ, pasi ishte filmuar duke luajtur me letra në klasë me nxënësit e tij, si dhe ushtronte në mënyrë të paligjshme profesionin e mësuesit të edukimit fizik, pasi ishte person me precedent penal dhe nuk kishte kualifikimin e duhur.

Banorët e zonës kanë dëgjuar edhe një shpërthim dhe sipas burimeve për A2 nga Spitali i Vlorës, ai ka mbërritur aty me dëmtime djegieje në gjymtyrë.

Zona rreth banesës së tij është rrethuar nga Policia, e cila ka ndaluar qarkullimin e mjeteve në rrugën kryesore pranë banesës dhe ka sekuestruar kamerat e sigurisë së zonës, për të mësuar më tepër mbi dinamikën e ngjarjes.

Shkarkoni aplikacionin e A2