Ukshini: Një marrëveshje është e domosdoshme, por Beogradi po përdor metoda mercenare

Kosova po përgatitet për zgjedhje të parakohshme, por a ndikon situata në Prishtinë në dinamikat e diplomacisë së saj?

I ftuar në A2, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, mohon këtë mundësi, duke thënë se “prioritetet nacionale mbeten ato që janë. Fokusi e politikës së jashtme nuk ka të bëj me politikën e ditës”, duke nënvizuar faktin që tashme shteti i tij disponon një ”administratë tashmë të konsoliduar në diplomaci”.

Nuk mungojnë sfidat, dhe natyrisht më e madhja është ajo e përballjes me qasjen sipas tij agresive të diplomacisë serbe.

“vetëm pak ditë më parë kemi patur një rast evident korrupsioni të diplomacisë serbe në Afrikën Qendrore”, thotë ai duke shtuar se “Beogradi po përdor metoda mercenare. Të shkosh në skuta të kryeqyteteve dhe të korruptosh ministra për të ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës nuk ka të bëj me asgjë demokratike dhe me funksionimin e një shteti në sistemin ndërkombëtar. Atë politikë që bënin me armë në kohën e Millosheviçit po e bëjnë tani me korrupsion”.

Sipas ambasadorit, shtetet e Quint-it – Amerika, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia- ia kanë bërë të qartë Beogradit që duhet të braktisë politikën agresive ndaj Kosovës, por qasja e saj “i ngjan politikës ndaj Shqipërisë në 1912, nga momenti që nuk mund ta kontrollonin, tentuan ta destabilizojnë”.

Sipas Ukshinit, një marrëveshje mes dy vendeve, edhe pse vështirë të finalizohet këtë vit, duhet patjetër të gjej zgjidhje vitin e ardhshëm, “sepse një marrëveshje e tillë nuk mund të mos ketë afate, sepse mund të keqpërdoret më vonë”.

Që kjo të ndodhë, Beogradi duhet të heq dorë nga pretendimet territoriale.

“Ata nuk po gjejnë lumturinë për të jetuar në kufijtë e tyre”, përfundon ambasadori, “por lumturia e një populli nuk duhet parë në zgjerimin territorial, por në mirëqenien e tyre”.  

Shkarkoni aplikacionin e A2