Zgjedhjet vendore, bashkitë “lëshojnë dorën” me lejet e ndërtimit – A2

Zgjedhjet vendore, bashkitë “lëshojnë dorën” me lejet e ndërtimit

Bumi i ndërtimeve ka arritur kulmin gjatë këtij viti, me më shumë leje të dhëna për pallate, shtëpi dhe biznese. Sipas Institutit të Statistikave, vetëm në tremujorin e dytë të 2019-ës, që përkon me periudhën prill-qershor, kur u zhvilluan edhe zgjedhjet vendore, në të gjithë territorin e vendit u dhanë 310 leje ndërtimi, me një rritje vjetore prej 15%.

Në total, vlera e ndërtimeve llogaritet në 14.8 miliardë lekë, apo rreth 121 milionë euro, nga ku mbi gjysma i takojnë pallateve. Në rritje rezultojnë edhe lejet e reja për hotele dhe ndërtesa tregtare si dyqane, mapo dhe qendra tregtare.

Me 111 leje të miratuara në periudhën Prill-Qershor, Tirana është qarku ku do të ndërtohet pjesa më e madhe e këtyre ndërtesave. Ndjekur nga Durrësi, Elbasani dhe Shkodra që kanë akorduar më shumë leje krahasuar me një vit më parë.

Ndërtimet e reja falë taksës së ndikimit në infrastrukturë përbëjnë bazën kryesore të të ardhurave të bashkive. Bumi i lejeve erdhi gjithashtu në muajt që i parapritën zgjedhjeve lokale dhe në kushtet kur qeveria kishte pezulluar të gjitha tenderat për pushtetin vendor.

Shkarkoni aplikacionin e A2