Kamerat “tradhtojnë” hajdutin e telefonit, arrestohet

Hajduti ecën qetësisht pas viktimës, i fut dorën në çantë dhe i merr telefonin, IPhone XS Max, duke vazhduar po qetësisht rrugën. Fatmirësisht për viktimën, e gjithë ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë të një dyqani në rrugën “Myslym Shyri”. Falë pamjeve, Policia ka bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit, një 37-vjeçar i lindur në Vlorë, me banim në Tiranë. P.K., rezulton të jetë i dënuar më parë me 18 muaj burg për vjedhje. Ai dyshohet edhe për vjedhje të tjera, të kryera në këtë formë.

Përveç tij, Policia ka arrestuar edhe dy shtetas të tjerë, E.R., 34 vjeç dhe R.M., 25 vjeç, të dy të lindur dhe banues në Sauk, të cilët dyshohet se kanë kryer një sërë vjedhjesh në Tiranë.

“Të dy, duke përdorur çelësin e banesës së shtetases L.A, kanë vjedhur në kohë të ndryshme, gjatë muajit korrik dhe gusht të këtij viti lekë, euro, bizhuteri, celularë, një kartë bankomati në emër të shtetases L. A., me anë të së cilës kanë kryer tërheqje lekësh në bankomat nga llogaria e kësaj shtetaseje.

Ata dyshohet gjithashtu se kanë kryer vjedhje të një marketi, një varëse floriri, të cilën ja kanë marrë nga qafa një shtetaseje dhe vjedhje banesash, për të cilat vijon puna për dokumentimin e tyre”, thuhet në njëoftimin e Policisë së Shtetit.

Shkarkoni aplikacionin e A2