Kriza politike në Itali, ultimatumi i Di Maios rrezikon koalicionin me PD

Nuk po gjen zgjidhje kriza politike në Itali. Kryeministri i mandatuar, Giuseppe Conte u takua të shtunën me Presidentin e Republikës, Sergio Mattarella, ndërsa mediat flasin për mundësinë e heqjes dorë nga mandati.

Koalicioni i sapokrijuar mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes së 5 Yjeve u lëkund ndjeshëm të premten, kur Luigi di Maio dorëzoi programin prej 20 pikësh të partisë së tij populiste. Më një ton të ashpër ai i kërkoi partnerit të ri të pranojë programin pa asnjë ndryshim, ose ne të kundërtën koalicioni do të prishej.

Ultimatumi i Luigi di Maios erdhi në fund të një dite konsultimesh, e cila deri në takimin mes liderit të 5 yjeve dhe Giuseppe Contes kishte shkuar pa probleme. Por, pas ballafaqimit me Conten, Di Maio parashtroi kushtet e tij, duke lënë të hapur mundësinë e rikthimit në qendrat e votimit nëse programi i 5 Yjeve nuk pranohej i plotë.

I menjëhershëm reagimi i Partisë Demokratike: “Nëse Di Maio ka ndryshuar mendje, le ta thotë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2