Rikthehet Manaj, jashtë Sadiku, Reja: Rezultate dhe rinovim

Edy Reja ka rikthyer në kombëtare sulmuesin Rey Manaj, për ndeshjet kundër Francës dhe Islandës, të vlefshme për kualifikueset e Euro 2020. Përveç tij, në kombëtare rikthehet edhe Binaku, i cili mungoi në ndeshjet e kaluara për shkak dëmtimi.

Pë herë të parë në skuadrën kombëtare është grumbulluar edhe Klaus Gjasula, 20 vjeç, që luan në si mesfushor mbrojtës te Paderborn në Bundesligë. Gjasula është vëllai i Jurgen Gjasulës. Në skuadër gjithashtu janë grumbulluar emra të tjerë të rinj si Marash Kumbulla. Mungon hertoi i Euro 2016, Armando Sadiku, i cili nuk është thërritur për shkak se nuk ka luajtur aq sa duhet, por Reja e ka në listën e lojtarëve të gatshëm.

Reja argumentoi zgjedhjet për të thërritur lojtarë të rinj duke thënë se përveç rezultateve, duhet të mendojë edhe për rinovimin e skuadrës. “Është e qartë që duhet të shohim për Europianin, por nëse nuk kualifikohemi duhet të mendojmë edhe për të ardhmen. Kemi një skuadër U-21 që ka treguar se ka lojtarë të rëndësishëm dhe ne po i ndjekim. Megjithatë tani po mendojmë për Francën dhe Islandën, pasi do të luftojmë për të marrë rezultate të mira dhe të luajmë mirë, por po mendojmë edhe për të ardhmen”, tha trajneri.

Shqipëria luan në Francë kundër kampionëve të botës më 7 shtator ndërsa më 10 shtator pret Islandën në “Elbasan Arena”. i pyetur mbi pritshmëritë e tij për ndeshjen e Parisit, Reja tha: “Shqipëria gjithmonë ka bërë ndeshje shumë të mira kundër Francës. Duam që ta vëmë në vështirësi. Për këto ndeshje do të jetë shumë i rëndësishëm edhe motivimi i lojtarëve”.

Pas katër ndeshjesh, Shqipëria renditet në vend të katërt në grupin H, me 6 pikë. Për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim, Reja mendon se Shqipëria duhet të mos gabojë kundër Islandës. “Askush nuk e priste që Turqia të mundte Francën, por ndodhi. Megjithatë nëse fitojmë kundër Islandës do të propozohemi edhe ne për kualifikimin”, tha trajneri.

Shkarkoni aplikacionin e A2