Denoncimi i PD: Tirana, pa ujë të pijshëm

Partia Demokratike ka deklaruar se Tiranës i mungon uji i pijshëm, duke nisur nga zonat periferike e deri te zonat më të populluara në qendër.

“Mijëra mesazhe e denoncime kanë mbërritur në Partinë Demokratike për mungesën e furnizimit me ujë në Tiranë. Dhjetra lagje në kryeqytet ankohen se nuk furnizohen me ujë prej javësh, lagje të tëra uji mungon mbi 20 orë në ditë, ndërsa faturat e ujit u shumëfishuan për të justifikuar vjedhjen galopante në Ujësjellësin Tiranë. Problemi i mungesës së ujit nuk është vetëm në periferi, por edhe në qendër të Tiranës. Denoncimet vijnë jo vetëm nga Yzberishti, Astiri, Ali Demi, Lapraka, Uzina e Autotraktorëve, por edhe nga rruga “Sami Frashëri”, zona e “Myslym Shyrit”, zona e Bllokut etj. Nuk mjafton kjo, por qytetarët ankohen se uji vjen i ndotur në rubineta”, u shpreh Vokshi.

“Çdo ditë në Tiranë, në çdo lagje të saj, shihen qytetarë të lodhur, të dëshperuar, që presin me orë depozitat me ujë që transportohen nga kompani klientë të Erjon Veliajt. Praktikisht, Tirana e merr ujin, një nevojë bazike, tashmë me tollon, njëlloj siç ndodhte me ushqimet bazike në kohën e Enverit. Por, Erjon Veliaj as nuk skuqet, as nuk zverdhet kur mashtron. Mashtrimin e ka bërë profesion të parë. Të gjithë e kujtojmë premtimin-mashtrim të madh të tij që në fushatën e 2015, kur premtoi 24 orë furnizim me ujë dhe heqjen e depozitave nga tarracat e pallateve që e shëmtonin Tiranën. Veliaj nuk ka përtuar ta përsërisë çdo vit këtë mashtrim sa herë bënte lajmet-show për t’i shpërndarë më pas në kaseta të gatshme në cdo televizion kombëtar apo lokal”, shtoi Vokshi.

Shkarkoni aplikacionin e A2