Sesion i ri me ligje të vjetra. Parlamenti nis punimet të hënën me dekretet e Metës

Ilir Meta do të vijojë të jetë shqetësimi kryesor i mazhorancës edhe për sesionin e ri plenar. Rrëzimi i 9 dekreteve të tij për kthim ligjesh do të jenë ndër vendimet e para që Kuvendi pritet të marrë këtë vjeshtë.

Ligji për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, ai për koncesionet dhe PPP-të, Kodi Penal, ligji për planifikimin e territorit, rezervat e shtetit, vetëqeverisjen vendore, shërbimin përmbarimor privat si dhe dy koncensionet e rrugëve Orikum-Llogara dhe Milot-Balldren, pritet të rivotohen të pandryshuara pavarësisht vërejtjeve të Presidentit.

Ky i fundit pritet të thirret në një seancë dëgjimore nga komisioni hetimor për shkarkimin e tij, që deri në fillim të tetorit duhet të dalë me një raport. Por, deri atëherë, deputetët duhet të japin një përgjigje me votë dhe propozimin e tij për të emëruar Petraq Milon në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Të tjera emërime si anëtarë apo kryetarë institucionesh janë në pritje të votës. Por, edhe propozimi për shkarkimin e Arben Malajt si anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Këtë sesion që nis pasditen e kësaj të hëne, do të testohet dhe fati i Reformës Zgjedhore e kryesuar nga Rudina Hajdari dhe Damian Gjiknuri. Opozita ka vendosur kusht për pjesëmarrje në komisionin e posaçëm që do të ndryshojë ligjin e zgjedhjeve largimin e ish-ministrit.

Paketa antishpifje, e propozuar nga qeveria, pritet të jetë një tjetër sfidë për Kuvendin, jo vetëm mes vetes, por edhe me përfaqësuesit e medias. 

Shkarkoni aplikacionin e A2