Tek Partizani Solomon bën gjithçka, Skëndërbeu “turpërohet” nga Bylisi

Java e Superiores mbyllet me dy rezultate diametralisht të kundërta, aty ku fitorja pothuajse e parashikuar edhe pse me vështirësi e kampionëve të Partizanit ndaj Flamurtarit më modest të viteve të fundit, u pasua nga surpriza e humbjes së bujshme dhe të thellë të Skënderbeut nga Bylisi.

Në ”Selman Stërmasi”, Partizani merr menjëherë dominimin e ndeshjes, dhe kalon në avantazh në minutën 21 falë një devijimi të zgjuar të ish sulmuesit të Partizanit të Beogradit, Solomon.

Zgjuarsia e golit baraspeshon gjestin e pakuptimtë të sulmuesit pak minuta më vonë, kur në një tentativë roveshatë nuk tërheq këmbën dhe godet me forcë në fytyrë lojtarin e Flamurtarit Deliaj.

Gjyqtari Ziri nuk toleron dhe i tregon nigerianit kartonin e kuq. Episodi  e stepi disi ekipin e teknikut italian Lerda, i cili tentoi më shumë të menaxhojë rezultatin pozitiv sesa të kërkojë gola të tjerë.

Objektiv të cilin e arriti me sukses, duke “arkëtuar” tre pikëshin e radhës. Për Flamurtarin, pa përforcime që duken ende një mirazh, rreziku i një rënie nga kategoria bëhet gjithmonë e më konkret.

Ndërkohë në Korçë, Bylisi i jep një leksion të papritur Skënderbeut që ishte favorit. Një rezultat 3-0, pa histori me djemtë e boshnjakut Dovedan që dominojnë fushën dhe shfrytëzojnë më së miri rastet, sidomos në pjesën e parë, ku fillimisht me Peposhin dhe më pas me ish lojtarin e korçarëve Guindo,  kalon në avantazh të dyfishtë.

Reagimi i Skënderbeut nuk konkretizohet, madje ballshiotët trefishojnë me penallti me portierin e tyre Isli Hidi.

Shkarkoni aplikacionin e A2