Sesioni i ri parlamentar, Hajdari: Rama është i mbrojtur nga Basha dhe Kryemadhi

Këtë të hënë ka nisur sesioni i ri parlamentar, ndërsa kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi e vlerësoi atë si jo të lehtë duke folur për vështirësitë e krijuara nga djegia e mandateve nga opozita.

“40 nga 58 mandate u zëvendësuan shpejt. Kjo ndihmoi në rikthimin e normalitetit dhe legjitimitetit të Kuvendit. Kuvendi fillon këtë sesion si funksional me kuorum kushtetues, me shumicë të kualifikuar për të miratuar çdo akt ligjor. Kjo shpreh edhe një përgjegjësi të lartë grupit opozitar, kushtetuese dhe politike për të cilën meritojnë mirënjohje. Kushtetuta u rezistoi aventurave ‘liri nën ligj’ duke shpëtuar sistemin nga kaosi. Në Kuvend do të dorëzohen shumë shpejt kandidaturat për Kushtetuesen dhe gjykatën e Lartë”, tha Ruçi.

Me tej, kreu i Kuvendit u shpreh se mbyllja e Reformës Zgjedhore është prioriteti i parë i këtij sesioni.

Ndërkohë, në fjalën e saj, Rudina Hajdari, kryetare e grupit parlamentar demokrat, u shpreh se qeveria aktuale është më skandalozja që ka parë ndonjëherë vendi. “Kjo dëshmohet qartë nga të gjitha raportet ndërkombëtare”, tha Hajdari.  

Kryetarja e grupit parlamentar demokrat bëri edhe një akuzë të fortë ndaj Bashës dhe Kryemadhit, duke thënë se ata mbrojnë Edi Ramën.

“Unë kam bindjen e plotë se Edi Rama është i mbrojtur nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Ata larguar deputetët nga Parlamenti me një qëllim të vetëm: Ata nuk e duan zhvillimin e këtij vendi”, tha Hajdari.

Shkarkoni aplikacionin e A2