Shkarkimet në Shkodër, Gurakuqi: Qeveria po tenton të zhvendosë vëmendjen

Romeo Gurakuqi, ish-deputet i Partisë Demokratike, deklaroi se me shkarkimet e drejtorëve rajonalë në Qarkun e Shkodrës, “qeveria po tenton të zhvendosë vëmendjen nga problemi themelor” që ka Shqipëria dhe që, sipas tij, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

“Shkodra është model i dështimit të përpjekjeve që Edi Rama bën për t’u shmangur nga përgjegjësia publike e zgjidhjes së krizës. Po përpiqet që të zhvendosë vëmendjen nga problemi themelor. Interesi publik është që në Shkodër të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shkodra nuk duhet të shndërrohet në të sakrifikuar për interesat e përplasjes politike në Tiranë. Duhet zgjidhje për krizën politike dhe për ripërtëritjen e pushtetit vendor”, tha Gurakuqi.

“PS-ja e drejtuar me njerëz mediokër ka guximin t’i kërkojë drejtorëve të dorëhiqen dhe tentojnë të tërheqin vëmendjen nga problemi themelor: zgjidhja pa përplasje e krizës. Shkodra është goditur padrejtësisht dhe e kanë zhvendosur nga pozicioni parësor në vend, në një vend të krimit të organizuar, në një hapësirë ku sundon injoranca dhe militantizmi”, shtoi ish-deputeti.

Sipas Gurakuqit, “PD-ja do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për të çmontuar pushtetin e Edi Ramës” dhe sipas tij, “faktori ndërkombëtar është i shqetësuar për këtë pushtet të degraduar”.

Shkarkoni aplikacionin e A2