Anëtarësia e 5 Yjeve i hap rrugë krijimit të qeverisë së re italiane

Anëtarët e Lëvizjes kundër establishmentit 5 Yjet mbështetën në mënyrë të qartë propozimin për krijimin e një koalicioni me Partinë Demokratike për t’i hapur rrugë kështu formimit të qeverisë së re që do të drejtojë Italinë në ditët e ardhshme.

Në një votim që u zhvillua online, 79.3% e mbështetësve u shprehën pro bashkimit të forcave me rivalët kryesorë politikë të Partisë Demokratike, ndërsa 20% e kundërshtuan këtë aleancë. Ky votim tashmë i hap rrugë kryeministrit Giuseppe Conte për të përfunduar punën për krijimin e listës me emrat e kabinetit të ri qeveritar që do t’i dërgojë presidentit Mattarella.

“Jam shumë i lumtur me votimin e sotëm dhe krenar me qeverinë e re që do të krijohet në ditët e ardhshme”, deklaroi lideri Di Maio pas numërimit të mbi 80 mijë votave online të anëtarësisë së 5 Yjeve.

Pasi presidenti Mattarella të pranojë kabinetin e Conte, kryeministrit i duhet të fitojë votëbesimin në të dyja dhomat e parlamentit përpara se qeveria e re të nisë zyrtarisht nga puna.

Shkarkoni aplikacionin e A2