Dekriminalizimi, Gjebrea: Do të ashpërsojmë masat

Elona Gjebrea, deputete e Partisë Socialiste, deklaroi se rastet e kryebashkiakëve në Shkodër dhe Vorë janë “raste të veçuara”, pasi, sipas saj, “nuk bëhet fjalë për një shumicë personash që kanë probleme me drejtësinë”.

Deputetja socialiste shtoi se kryeministri Edi Rama “do të paraqesë një paketë ligjore për të pasur masa më shtrënguese dhe për të treguar që ne jemi me drejtësinë”.

“Është përgjegjësi individuale, jo e partisë. Kur Ministria e Drejtësisë sjell certifikatën që tregon se kandidati në fjalë është i padënuar, kjo tregon që procesi ka një problem. Nuk mjafton kuadri ligjor i deritanishëm dhe ne do të propozojmë masa të tjera që të mos ketë më raste të tilla në të ardhmen, në mënyrë që personi që nuk tregon të vërtetën të mbajë përgjegjësi personale dhe penale. Nuk do të donim të kishim raste të tilla, por masat e reja do ta eliminojnë këtë fenomen. Nuk është situatë alarmante”, tha Gjebrea.

Kur u pyet në lidhje me kërkesat e Partisë Demokratike për largim të Edi Ramës dhe zgjedhje të parakohshme, Gjebrea tha: “Vetëm vota e qytetarëve na heq neve nga pushteti. Jemi të detyruar të sqarojmë dhe përmirësojmë punën tonë dhe për këtë jemi në marrëdhënie të vazhdueshme me qytetarët. Në tetor presim përgjigje pozitive për hapjen e negociatave dhe është peshë e madhe mbi PD-në fakti që kur Shqipëria ishte shumë pranë hapjes së negociatave, ata vendosën që të bojkotojnë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2