Emigrantët e bllokuar në Greqi, mbi 1400 persona, zhvendosen nga Lesbos

Vijon operacioni për pastrimin e kampit të tejmbushur Moria, në ishullin grek të Lesbosit. Mëngjesin e së martës, anija e dytë e nisur nga Lesbos me emigrantë dhe refugjatë mbërriti në Selanik. Ky ishte grupi i dytë, i një totali prej 1400 personash që u zhvendosen në struktura të Greqisë veriperëndimore.

Nisma është pjesë e një plani më të gjerë të qeverisë për të lehtësuar barrën në ishullin e pozicionuar në Egje, i cili ka regjistruar një fluks të madh ardhjesh nga brigjet turke. Vetëm në një ditë, gjatë muajit gusht, rreth 500 vetë zbarkuan në Lesbos nga Turqia, sipas të dhënave të rojes bregdetare greke.

Pas mbërritjes me anije në kontinent, azilkërkuesit u transportuan me dhjetëra autobusë në strukturën e përkohshme të Nea Kavala, ku janë ngritur 200 tenda. Rreth 1 mijë emigrantë, sipas Ministrisë për Mbrojtjen e Qytetarit, do të vendosen atje, ndërsa të tjerët do të shpërndahen në zona të tjera të Greqisë veriore.

Për zhvendosjen e emigrantëve po ndihmon edhe organizata ndërkombëtare për migracionin. Rreth 70 mijë refugjatë po qëndrojnë në Greqi e për shkak të vonesave në procedurat e azilit dhe rishpërndarjen ne vendet e tjera të BE, qendrat e pritjes janë tejmbushur.  Aktivistët kanë denoncuar shpesh kushtet e tmerrshme në të cilat jetojnë emigrantët nëpër kampe. 

Shkarkoni aplikacionin e A2