Feraj: LDK donte postin e kryeministrit me votat e Vetëvendosjes, e papranueshme

Marrëveshja e shumë diskutuar midis Vetëvendosjes dhe LDK-së për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë nuk u konkretizua, duke i shtuar pikëpyetje politikës kosovare.

I ftuar në A2, Hysamedin Feraj, pedagog i njohur dhe një nga ideologët e Vetëvendosjes, e cilëson këtë dështim të negociatave si “një gjë e mirë, sepse krijon qartësi tek votuesit”. Sipas tij, “nga LDK kishte vetëm ambicie për postin e kryeministrit, që donte ta fitonte paraprakisht dhe me votat e Vetëvendosjes,  gjë që ishte e papranueshme dhe e pandershme”.  

Por kjo, në logjikën e politikës, nuk përjashton një koalicion post-zgjedhor.

“Mundësia më e mirë është që Vetëvendosja të merrte 51% të votave, opsioni i dytë është që pas zgjedhjeve të vazhdohen bisedimet me LDK për një mundësi bashkëqeverisje  pas zgjedhjeve, kur secili të shoh peshën e vet elektorale, kjo mundësi mbetet e hapur”, shton Feraj.

Sipas tij, elektorati kosovar në prag të zgjedhjeve duket  “i entuziazmuar, ka mundësi të bëj zgjidhje, jo vetëm zgjedhje”.  Kjo edhe sepse në panoramën politike në Kosove ekzistojnë tashmë vetëm dy palë.

“Vetëvendosja në një anë, dhe të gjitha partitë e tjera nga ana tjetër. Të gjitha kanë të njëjtën prerje, të njëjtat premtime, të njëjtat programe që elektorati i ka lexuar në këto 20 vite, që po kthejnë Kosovën në një vend të pajetueshëm”. Ndryshe nga këto modele, sipas tij Vetëvendosja ka një “program të shtypur dhe të shpërndarë, që mundëson elektoratin të ndjekë pikë për pikë realizimin e premtimeve dhe afatet e realizimit. Një gjë e tillë mungon në partitë e tjera në Kosovë, por edhe në Shqipëri”, vijon ai.

Pritshmëritë e Vetëvendosjes  janë të mëdha, “zgjedhjet kanë rëndësi gjithëkombëtare”, edhe për angazhimin e diasporës.   “Në këto zgjedhje do të mund të votoj edhe ajo pjesë e diasporës që ka të paktën një prind me shtetësi kosovare, dhe diaspora është shumë e vendosur. Një mundësi kjo që nuk është e re, por që nuk ka qenë e njohur aq sa duhet”, sipas gjykimit të Ferajt.  

Shkarkoni aplikacionin e A2