Kaos në Britaninë e Madhe, Johnson kërcënon Parlamentin me zgjedhje – A2

Kaos në Britaninë e Madhe, Johnson kërcënon Parlamentin me zgjedhje

britani kriza 1100x620
Video

Lufta mes kryeministrit britanik dhe Parlamentit kalon në një raund të ri. Boris Johnson kërcënon të shpallë zgjedhje të parakohshme më 14 tetor, nëse ligjvënësit do të tentojnë të votojnë për të bllokuar një Brexit pa ujdi.

Sipas kryeministrit, iniciativa do t’i hiqte nga duart shansin për të rinegociuar me Brukselin një ujdi, pa klauzolën e mekanizmit frenues me Irlandën e Veriut: “Nëse ka diçka që mund të na sprapsë në bisedime, është ndjesia në Bruksel se disa parlamentarë do të gjejnë një mënyrë për të anuluar referendumin, apo se ligjvënësit do të votojnë me Jeremy Corbin për një tjetër shtyrje të pakuptimtë. Dua që ta dini se në asnjë rrethanë nuk do t’i kërkojë shtyrje Brukselit”.

Por, me gjithë vendosmërinë e kryeministrit, mes deputetëve konservatorë rritet pakënaqësia dhe gjithashtu numri i atyre që janë të gatshëm të punojnë me laburistët për të shmangur divorcin pa ujdi në 31 tetor. Nga ana e saj, opozita laburiste sforcohet të duket e gatshme për zgjedhje të mundshme dhe ripërtërin akuzat ndaj kryeministrit. Jeremy Corbyn tha: “Qëllimi ynë është të sfidojmë këtë qeveri mbi një Brexit pa ujdi, të mbrojmë vendet e punës dhe standardet e jetesës. Të përpiqemi që ky vend të turret drejt krahëve të Donald Trump dhe një marrëveshje tregtare me SHBA”. 

Sipas disa analistëve, pas pushimit veror, Parlamenti britanik mund të përfshihet nga përplasjet mbi çështjen e Brexit-it; nga njëra anë do të jenë deputetët që duan të marrin kontrollin e axhendës parlamentare dhe nga ana tjetër opozitarët e divorcit pa ujdi. Nëse qeveria do të mundej me një shumicë prej 2/3, do t’i hapej rruga zgjedhjeve të parakohshme.