Ngjela: SHBA kundër ndarjes së Kosovës, ardhja e Palmer, shans për ne

Spartak Ngjela thotë se në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në Kosovë janë përpjekur të futen shumë forca antiamerikane, sikurse ka ndodhur edhe në Shqipëri. Por emërimi i Matthew Palmer si i dërguar special i SHBA për Ballkanin perëndimor është tregues, sipas Ngjelës, se Shtetet e Bashkuara janë në krah të shqiptarëve në rajon.

“Ardhja e Palmer, i cili mban edhe postin e zëvendës ndihmës sekretarit, politikan i nivelit të lartë i cili ka folur ashpër për politikanët në Kosovë. Do të shikojmë se kush do të dalë Kryeministër, a do të eliminohet grupi i ndryshimit të territoreve? Nuk e dimë”, shtoi Ngjela.

“Me faktorë antiamerikanë kam parasysh Beogradin, Moskën, e deri diku Athinën. Ne duhet të jemi të vëmendshëm sepse na ka ardhur shansi, që politika amerikane do të mbështetet te faktori shqiptar në Ballkanin Perëndimor. Deri para 20 vitesh nuk ka qenë kështu. Në këto momente ka presion të madh edhe nga Turqia kundër frymës së bashkimit kombëtar dhe orientimit perëndimor të Shqipërisë”, tha Ngjela, i ftuar në A2, në edicionin informativ të orës 13:00.

Avokati tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund të jenë kurrë në favor të shkëmbimit të territoreve. “Ata njohin sovranitetin dhe vendimmarrjen e lirë të shteteve sovranë, duke qenë se kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Por ata janë me Kosovën në këtë rast, këtë e tregoi edhe kthimi i Vuçiçit nga SHBA, ku dukej që i kishin thënë se nuk ka për të ndodhur asgjë. Madje ai deklaroi se kosovarët kanë Mekë dhe Medinë, Uashingtonin”, tha Ngjela.

Shkarkoni aplikacionin e A2