Noka: Rama përfaqëson vullnetin e krimit, opozita po përgatit protestat – A2

Noka: Rama përfaqëson vullnetin e krimit, opozita po përgatit protestat

3 SHTATOR LAJME ORA 13 00 FLAMUR NOKA frame 3537 1100x620
Video

Flamur Noka e ka të qartë opsionin “e vetëm” sipas tij, të opozitës për të përballur ekzekutivin e Edi Ramës. “Nuk i ka ngelur asnjë opsion opozitës veçse protestat në rrugë, Rama përfaqëson vullnetin  e krimit”, thotë ai, duke paralajmëruar një sezon manifestimesh po aq të ngjeshura sa në periudhën para 30 Qershorit.

Një datë kjo, që për anëtarin e kryesisë të Partisë Demokratike përfaqëson shumë gjëra, por jo zgjedhje vendore legjitime. “Në 30 qershor ishte thjesht një zgjedhje brenda partisë socialiste, nuk u zgjodhën krerët e bashkive, por kryetarët e komiteteve ekzekutive të dikurshme. Ulja e atyre kandidatëve në vendin e kryebashkiakëve është asgjë më pak se një dhunim i pushtetit vendor”, u shpreh Noka për A2.

Po për sa i përket një date tjetër shumë të diskutuar, 13 tetorin? “PD e respekton dekretin e presidentin, si të vetmin akt kushtetues ligjor. Ne jemi gati të mbështesim një tryezë opozitare për të gjetur një zgjidhje. Po punojmë që zgjedhjet, lokale dhe politike, të mbahen sa më shpejt”, tha ish deputeti i PD, Noka.  

Që kjo të ndodhë, sipas tij, është e domosdoshme që Edi Rama të largohet dhe të krijohet një qeveri tranzitore. “Ai nuk kupton as qeverisjen, as politikën, ai është e zeza e madhe e këtij vendi”, thotë  Noka, dhe shton se “ fakti që i vetëm pa kundërshtar, zgjodhi përsëri krimin për ta përfaqësuar, e tregon qartësisht këtë. Ne kemi përgjegjësinë që të bëjmë publik çdo dokument që kemi arritur të sigurojmë për përfshirjen e Edi Ramës në këto krime”.