Para Çekisë dhe Anglisë, Ujkani: Kosova lufton për vendin e dytë

Para dy ndeshjeve vendimtare për eliminatoret e Europianit 2020, ndaj Çekisë dhe Anglisë, Samir Ujkani është shprehur se Kosova do të synojë vendin e dytë në këtë grup edhe pse nuk do të jetë e lehtë.

Në konferencën për shtyp të së martës, portieri i Kosovës është shprehur se ndaj Çekisë të shtunën do të jetë një sfidë vendimtare. “Ka për të qenë një ndeshje shumë e vështirë, pasi Çekia besoj se është kundërshtari më i fortë pas Anglisë dhe e kemi konkurrent për vendin e dytë. Ne duhet të përqendrohemi te loja jonë dhe të çojmë përpara rezultatet pozitive të muajve të fundit. Duhet të dëgjojmë trajnerin dhe të përgatitim strategjinë për të dalë fitues”, tha Ujkani.

Më tej, ai foli edhe për rikthimin në Itali, ku ditën e fundit të merkatos nënshkroi me skuadrën e Torinos. “Jam shumë i kënaqur që jam rikthyer në Itali dhe mbi të gjitha në Serinë A, me një skuadër shumë të madhe, me një tifozëri të zjarrtë. Falënderoj trajnerin dhe presidentin e ekipit dhe tani do të përqendrohem të bëj më të mirën, për të shpërblyer besimin”.

Shkarkoni aplikacionin e A2