Rasti “Pjetri”, mazhoranca: Korrigjim nëpërmjet Reformës Zgjedhore

Pas rastit të Shkodrës, mazhoranca ka drejtuar sytë te Reforma Zgjedhore. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi e quajti prioritetin e këtij sesioni. Duke lënë derën hapur dhe për opozitën jashtëparlamentare, ndaj të cilës qëndron në fuqi dhe oferta për të pasur të drejtën e vetos në komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore.

Taulant Balla sqaroi se si mazhoranca synon të korrigjojë kandidatura si të Valdrin Pjetrit nëpërmjet Kodit Zgjedhor: “Zoti Edi Rama ka njoftuar dhe do të depozitojë në komisionin e Reformës Zgjedhore si amendamente shtrëngimet e domosdoshme dhe më të ashpra lidhur me pastërtinë e figurës së çdo kandidati”.

Por, bashkëkryetares së Komsionit të Reformës Zgjedhore, Rudina Hajdari duket se nuk i pëlqeu shumë ideja: “Sikur nuk e zgjodhët ju atë njeri dhe tani vini këtu e thoni që duhet të ndryshohet ky aspekt i ligjit. Jeni ju ata që i sillni këta njerëz në Parlament”.

Një tjetër lidhje mes Reformës Zgjedhore dhe Shkodrës dhe mundësia e heqjes së kompetencës së Presidentit për të caktuar datën e zgjedhjeve, pikërisht me ndryshimin e kodit, por opozita vazhdon të kushtëzojë votën e saj për këtë ligj me ndryshimin e sistemit, madje dhe largimin e Damian Gjiknurit nga bashkëdrejtimi i tij.

Skenari i dytë i mazhorancës për të zgjidhur ngërçin me drejtimin e kryeqendrës së veriut është nëpërmjet ligjit të dekriminalizimit. Shkelja e këtij ligji nga Valdirin Pjetri mund t’i japë mundësinë KQZ-së që të shpallë nul zgjedhjet në atë bashki dhe të organizojë të tjerat pa pasur nevojën e dekretit të Presidentit. Këtë të fundit, kosmioni hetimor që do ta shkarkojë pritet ta thërrasë në datën 6 shtator për të dhënë variantin e tij mbi dekretet e zgjedhjeve.

Shkarkoni aplikacionin e A2