Shkarkimi i Presidentit, opozita kërkon shtyrjen e afateve të Komisionit Hetimor

Deputetët e opozitës kërkuan shtyrjen e mandatit të Komisionit Hetimor për Presidentin Ilir Meta pezullimin e veprimtarisë së tij deri në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese për të mos krijuar vakum institucional dhe mbërritjen e mendimit përfundimtar të Komisionit të Venecias.

Kreu i komisionit Ulsi Manja, pranoi kërkesën e deputetëve për pritjen e përfundimeve të Komisionit të Venecias, por e quajti të pabaza pretendimet e tyre për të ndërprerë hetimet për Presidentin.

“Të mos lëmë boshllëk institucional. Pa u formuar Gjykata Kushtetuese dhe pa ardhur opinioni final i Venecias, ta shtyjmë Komisionin”, tha deputeti i opozitës Alban Zeneli. Por kreu i Komisionit, Ulsi Manja, iu përgjigj: “Ngritja dhe bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese nuk e pengon kurrsesi punën e Komisionit. Por Venecia duhet të pritet për të arritur në një vendim objektiv”.

Gjatë kësaj seance, Komisioni Hetimor miratoi edhe hapat proceduralë që do të ndiqen deri në fund të hetimit.

  1. Seancë dëgjimore me Presidentin e Republikës, në zbatim të nenit 112, pika 3 të Rregullores së Kuvendit.
  2. Administrimi dhe shqyrtimi i informacioneve, të dhënave, raporteve të marra nga institucionet lidhur me objektin e hetimit.
  3. Administrimi i raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut “Për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh për nisjen e
    procedurës së shkarkimit nga detyra të Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta”, datë 26.06.2019.
  4. Administrimi dhe shqyrtimi i Opinionit të Komisionit të Venecias.
  5. Diskutim në lidhje me gjetjet e Komisionit Hetimor sipas objektit të hetimit.
  6. Përgatitja dhe miratimi i raportit përfundimtar.
  7. Paraqitja në Kuvend i raportit përfundimtar.

Gjithashtu, anëtarët e Komisionit po diskutojnë edhe datën e mundshme për të thërritur Presidentin të dëshmojë para Komisionit. Përveç datës 6 shtator, e cila ishte deri dje mundësia e vetme e diskutuar, është hedhur sot hipoteza e spostimit të thirrjes së Metës në datën 9 shtator, kjo pasi data 6 është në prag të fundjavës dhe, sipas deputetëve, mund të bëhet shkak për refuzimin e thirrjes nga ana e Presidentit.

Shkarkoni aplikacionin e A2