Aksioni opozitar, Basha pret Kryemadhin, PD-LSI hezitojnë për protestat

Sezoni i ri politik riktheu në selinë blu aleaten më të madhe të demokratëve, Monika Kryemadhin.

Numri një i LSI-së bisedoi për afro 60 minuta me kreun e PD, Lulzim Basha. Thirrja ose jo e protestave, ka qenë ndër pikëpyetjet më të mëdha që ka shoqëruar këtë verë opozitën, por duket se dy krerët e saj nuk kanë arritur në një konkluzion. E pyetur për rikthimin e protestave në shtator, Kryemadhi shmangu përgjigjen direkte.

“E rëndësishme është që çdo shqiptar proteston çdo ditë. Mjafton të shikoni bidonat e ujit që mbajnë në radhë me orë të tëra… është protestë. Urrejta dhe mallkimet që bëjnë shqiptarët çdo ditë kur hapin çezmën dhe nuk del një pikë ujë dhe kjo është vetëm fillimi”, tha Kryemadhi.

Takimi me koordinatorët në qarqe një ditë më parë, në të cilin vetë kryetari Lulzim Basha ishte shprehur se protestat do të riktheheshin, shtoi edhe më shumë interesin e gazetarëve.

A2 CNN e pyeti nëse shtatori do të kthejë qytetarët në shesh, por Basha ndërroi temë me shpejtësi. “Protesta ka pasur, protesta do të ketë dhe protestat do të jenë gjithmonë dhe më të fuqishme”, tha Basha.

Përveç Kryemadhit, Lulzim Basha do takohet të enjten edhe me aleatët e tjerë më të vegjël. Në axhendë mungon një mbledhje e forumeve drejtuese dhe duket se Basha po merr kohë duke pritur vizitat e sekretarit të përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Roberto Montella dhe zëvendëskryetari i grupit parlamentar gjerman CDU/CSU, Johan Vadeful në mes të shtatorit. Vizita që shihen si një shans për dialog mes palëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2